Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll duhet të ketë gjithçka: start të mirë, mbrojtje të fortë, sulm efikas, të humbë sa më pak topa dhe ta përcjellë fati nëse dëshiron të ketë një mundësi për të befasuar ndaj përfaqësueses gjigante, Lituanisë.
Këtë e ka thënë për mediat trajneri amerikan i Kosovës, Brad Greenberg. E të njëjtën tregon se ua ka thënë edhe lojtarëve, të enjten pasdite, në seancën e parafundit stërvitore para ndeshjes me Lituaninë.
Kjo ndeshje luhet sot nga ora 19:00 në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, dhe është e para eliminatore për botërorin “Kina 2019”.
Kosova është në Grupin C, ku janë edhe Hungaria e Polonia. Një stërvitje të lehtë, Kosova do të mbajë edhe sot në mëngjes. /Express/