Anton Cena është kualifikuar në finale të Kampionatit Evropian për veteranë, ndërsa Federata Evropiane e Xhudos e konsideron atë si mbret të Kosovës, të cilën e sheh si vend të suksesit të këtij sporti
Federata Evropiane e Xhudos, përmes grupit të saj zyrtar “europeanjudo” në rrjetin social Instagram e ka lavdëruar xhudon kosovare, shkruan Gazeta Express.
Ajo e ka përmendur kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi, ndërsa e ka përshëndetur edhe suksesin e fundit të Anton Cenës, i cili u kualifikua në finale të Kampionatit Evropian të xhudos për veteranë, i cili po mbahet në Spanjë.
“Ekipi kosovar i xhudos ka xhudistë të talentuar dhe të fuqishëm si kampionia olimpike 2016 Majlinda Kelmendi, kampionia evropiane 2018 Nora Gjakova, apo edhe Akil Gjakova, medalist i artë në Budapest ditë më parë”, ka shkruar fillimisht “europeanjudo”.
“Në kategorinë e veteranëve, Anton Cena, i njohur si mbret i Kosovës është po ashtu një yll i madh. Ai është më shumë se i gatshëm ta konfirmojë titullin e kampionit evropian në kategorinë 66 kilogramë. Ai e shënoi një Ippon të bukur për ta siguruar një vend në gjysmëfinale dhe është pjesëmarrësi i vetëm i Kosovës”, ka shkruar tutje Federata Evropiane.
Cena është kualifikuar në finale tashmë, duke e siguruar medaljen e argjendtë, por ai e do të artën, për të konfirmuar se është më i forti në kategorinë e veteranëve. /Gazeta Express/