Federata e Volejbollit të Kosovës është ankuar në Federatën Ndërkombëtare Volejbollit (FIVB) për shkak të një lëshimi të madh që është bërë gjatë ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Botëror të Volejbollit 2018 në konkurrencën e meshkujve mes Kosovës dhe Hungarisë.
Në grafiken e transmetuesit publik shkurtesa e Kosovës në vend të “KOS” është shkruar “SRS”, shkruan Express.
E për më tepër edhe flamuri i Kosovës është shpalosur mbrapshtë.
Kosova humbi nga Hungaria 0:3 në sete (13:25,17:25,9:25).
Sekretari Gjeneral i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Blerim Gerguri, i është drejtuar FIVB-it me një ankesë, përmes të cilës po ashtu ka kërkuar që rasti të trajtohet seriozisht dhe përgjegjësit të ndëshkohen në bazë të rregullores së CEV dhe FIVB.
“Federata e Volejbollit të Kosovës reagon dhe proteston ashpër ndaj në lidhje me transmetimin në internet të ndeshjes mes Hungarisë dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet evropiane për Kampionatin Botëror të Volejbollit, rundi i dytë, në grupin D, më 24.05.2017. në Tallin të Estonisë,” ka shkruar Gerguri në ankesën e tij.
“Shkurtesa e përdorur në këtë ndeshje për shtetin e Kosovës ishte ‘SRS’, edhe pse Kosova e ka shkurtesën ‘KOS’. Mendoj se kjo është bërë me qëllim që të dëmtohet reputacioni i ekipit nacional të vendit tim. Ju lus që ta trajtoni me seriozitet këtë rast dhe t’i ndëshkoni përgjegjësit në përputhje me rregulloren e CEV dhe FIVB,” ka shkruar ai më tej./Express/