Ekipi kombëtar i Kosovës e mbylli fushatën në Ligën e Kombeve në mënyrë mbresëlënëse, duke u promovuar në një nivel më lart, Ligën C, si dhe duke e siguruar një vend në play-off për kualifikime në Kampionatin Evropian Euro 2020.
Por prit, se ka ende: Kosova është skuadra me sulmin dhe goldallimin më të mirë në të gjitha ligat e Ligës së Kombeve, dukë lënë prapa kështu skuadrat e mëdha si kampionin botëror, Francën, Spanja dhe Zvicra, shkruan Gazeta Express.
Dy fitoret e fundit në Grupin 3 të Ligës D, 5-0 ndaj Maltës në udhëtim dhe 4-0 kundër Azerbajxhanit në Prishtinë, i kanë ndihmuar Kosovës ta mbyllë fushatën me 15 gola të shënuara dhe vetëm dy të pranuara, me goldallim +13.
Kombëtarja që e ndjek Kosovën nga pas me më së shumti gola të shënuara është Zvicra e shqiptarëve Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, me 14 gola të shënuara.
Spanja i ka shënuar 12 aq sa Gjeorgjia, ndërsa Franca vetëm 4.
Kosova e fitoi Grupin 3, duke i grumbulluar 14 pikë pas katër fitoreve, dy barazimeve dhe asnjë humbjeje. /Express/