Sport

Kosova mban stërvitjen e dytë, synojnë ta ndalin Ukrainën

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka mbajtur sot seancën e dytë stërvitore në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, para ndeshjes me Ukrainën.

Lojtarët u shprehën të kënaqur me atmosferën brenda klubit, ndërsa thanë se do ta mundin Ukrainën.

Mërgim Vojvoda, ka bërë të ditur për KosovaPress se tani të gjithë lojtarët kanë arritur nga klubet e tyre, dhe është duke u përgatitur një lojë samë emirë kundër Ukrainës, në mënyrë që të arrihet fitorja e parë e përfaqësueses së Kosovës.

“Atmosfera në klub është shumë e mirë. Tani na janë bashkuar të gjithë lojtarët, edhe ata të cilët kanë pasur lojë para dy ditësh…Jemi duke përgatitur lojën sa më mirë dhe me mujt me i marr tre pikë për herë të parë”, ka thënë Vojvoda.

Sulmuesi Milot Rashica, tha se pikët janë shumë të rëndësishme për të dyja përfaqësueset, por që shpreson në fitoren e parë të Kosovës.

“Për momentin atmosfera është shumë e mirë. Sot jemi bërë bashkë krejt ekipi, pasi që dje ka pasur disa mungesa dhe e dimë se pikët janë shumë të rëndësishme si për Ukrainën ashtu edhe për neve… Normal, shpresoj të arrimë fitoren e parë, pse jo”, theksoi Rashica.

Ngjashëm u shpreh edhe mesfushori Hekuran Kryeziu. Sipas tij, me një lojë të ngjashme sikur ndaj Kroacisë, Kosova mund të arrijë fitoren e parë të saj.

“Atmosfera është si gjithmonë shumë e mirë…Ne besojmë, jemi optimistë, si grup dhe me lojën si kundër Kroacisë, besoj se mund të arrimë fitoren e parë” Ndryshe, Kosova luan si nikoqire kundër Ukrainës në stadiumin Loro Boriçi të Shkodrës të premten në ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Rusi 2018”. /kp