Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave do ta mbyllë sot eksperiencën e saj në paraeliminatoret për Kampionatin Botëror 2019.
Verdhekaltrat do të luajnë sot me Maltën në ndeshjen e tretë dhe të fundit të Grupit B të kësaj faze.
Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë dhe do të fillojë në orën 14:00, shkruan sot gazeta Zëri.
Kosova e humbi ndeshjen e parë nga Shqipëria me rezultat 3:2 duke pësuar gol në minutat shtesë, ndërsa më pas u mund me rezultat të thellë 6:0 të shtunën nga Greqia, duke i dhënë kështu fund ëndrrave për kualifikim në fazën eliminatore të Botërorit.
Sidoqoftë, skuadra e Afërdita Fazlijës do të mundohet të bëjë paraqitje sa më pozitive ndaj Maltës, për të dalë me kokën lart nga kjo fazë, pavarësisht faktit se nuk ia doli të ecte përpara në eksperiencën e saj të parë në këtë nivel garash.
Ndërkohë, Kombëtarja Shqiptare do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të saj në “Elbasan Arena” sot po ashtu nga ora 12:00 ndaj Greqisë.
Faza paraeliminatore po zhvillohet në Shqipëri, në Tiranë dhe Elbasan. /Zëri/