Dy përfaqësueset e shqiptarëve kanë pësuar edhe një rënie në ranglistën më të re të publikuar nga FIFA.
Humbja 1:2 nga Islanda në kualifikimet për Kampionatin Botëror ‘Rusi 2018’, ka ndikuar që Kosova të humbë gjashtë pozita në ranglistën më të re të FIFA-s.
Përfaqësuesja jonë tani renditet në vendin e 170-të në botë me 112 pikë të mbledhura, transmeton KosovaPress.
Punët më mirë nuk i ka as Shqipëria. Kuqezinjtë e De Biasit, kanë pësuar dy humbje në muajin mars, fillimisht nga Italia 0:2 dhe më pas në Elbasan janë mposhtur nga Bosnja 1:2.
Shqipëria ka humbur plot 12 pozita dhe tani renditet në vendin e 66-të.
Pas shtatë viteve, Brazili rikthehet në vendin e parë, duke e rrëzuar nga froni Argjentinën, e cila bie në të dytën. Podiumin e kompleton kampioni i botës Gjermania.