Mediat shtetërore të Koresë së Veriut kanë paralajmëruar sot se Veriu do të kundërpërgjigjet me sulm bërthamor ndaj SHBA-së nëse kjo e fundit tregon shenja prej agresori.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili i ka bërë thirrje Kinës që të bëjë më shumë që ta frenojë fqinjin e vet, ka thënë se Koreja Veriore po kërkon telashe dhe se Shtetet e Bashkuara do të zgjidhnin problemin me apo pa ndihmën e Kinës, transmeton Express.
Tensionet kanë eskaluar tej mase në gadishullin korean me raportimet për veprime ushtarake të SHBA-së që po rriten pas sulmeve të saj kundër Sirisë javën që shkoi dhe pas shqetësimeve se Veriu mund së shpejti ta kryejë edhe testimin e gjashtë bërthamor.
Gazeta zyrtare e Koresë së Veriut “Rodong Sinmun” ka shkruar se vendi është i përgatitur që të kundërpërgjigjet ndaj çfarëdo agresioni të Shteteve të Bashkuara.
“Ushtria jonë e fortë revolucionare është duke e shikuar me kujdes çdo lëvizje të elementeve të armikut me vështrimin tonë bërthamor të fokusuar në bazat pushtuese të SHBA-së jo vetëm në Korenë Jugore dhe kërcënimin e operacionit të paqësorit, por edhe në SHBA,” ka shkuar kjo gazetë./Express/