Aktuale

Konjufca deklarohet për dekretimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë

Kanë filluar deklarimet e deputetëve të Kosovës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca deklarimin e tij e ka lidhur me dekretimin e djeshëm të prokurorëve dhe gjyqtarëve serb nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi, si pjesë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së drejtësisë e arritur në Bruksel , në shkurt të vitit 2015.

Sipas Konjufcës marrëveshja e nënshkruar në shkurt të 2015 është kundër interesave të Kosovës pasi ndanë sistemin e drejtësisë në dy pjesë, transmeton Indeksonline.

Ky është fjalimi i plotë:

Në shkurt të vitit 2015, u nënshkrua marrëveshja për drejtësinë në mes Kosovës dhe Serbisë dhe tani e dimë fare qartë se kemi të bëjmë më marrëveshje që është kundër interesave të Kosovës pasi ndan sistemin e drejtësisë në dy pjesë.

Gjykata Themelore e Mitrovicës dhe ajo e Apelit u ndanë vetëm për atë të veriut. Kryetari i Gjykatës caktohet të jetë serb, caktohet etniciteti ashtu siç caktohej Komandanti i Policisë në marrëveshjen e 2013-tës. Me përkatësi etnike ndahen prokurorët, gjyqtarët. Mjafton kaq për ta ditur se sa e dëmshme është kjo marrëveshje.Ne kemi zbuluar një aneks të cilin qeveria e ka mbajtur të fshehur, të pabotuar. Ky aneks thuhet se aktgjykimet e lëshuara nga gjykatat në serbi deri më 15 korrik të 2013 që kanë të bëjmë me vendimet e organeve gjyqësore konsiderohen si të vlefshme. Me marrëveshjen për drejtësi në pjesë të cilës ju e keni fshehë, thuhet se konsiderohen të vlefshme aktgjykimet e Serbisë, në Kosovë.

Kjo është mbajtur qëllimisht e fshehur nga ana e Qeverisë së Kosovës për shkak të kësaj përmbajtje, për arsye se vendimet e Serbisë bëhen të vlefshme në Kosovë dhe për shkak të emrave të gjyqtarëve që i ka caktuar Vuçiq atje.

Kjo i demaskon gënjeshtrat dhe mashtrimet e Qeverisë, duke thënë se gjithçka ka qenë në përputhje me rregull, por shihet fare qartë se këta nuk janë emëruar me konkurse e punën e tyre por me negociata në mes qeverisë sonë dhe Aleksandar Vuçiq. Është e patolerueshme dhe e pafalshme.

the authorE B