Aktuale

Kongresisti Engel konfirmon se SHBA-ja aktualisht është kundër ushtrisë

Eliot L. Engel, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit, ka folur rreth politikës amerikane karshi Kosovës gjatë një takimi të këtij Komiteti. Ai ka konfirmuar se SHBA-të aktualisht janë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës duke kërkuar që ky qëndrim të ndryshojë shpejt. Si arsye për këtë, ai ka përmendur armatosjen e vazhdueshme të Serbisë nga Rusia.

Engel ka potencuar se Kosova, si vend i ri, duhet ta bëjë ushtrinë, duke shtuar se në anën tjetër Rusia po e armatosë Serbinë, transmeton Gazeta Express.

“Kjo mund t’ju duket e papritur zoti Kryetar, por nëntë vjet me radhë, si një vend i lirë dhe i pavarur, Kosova ende nuk ka ushtri. Kjo është një e drejtë sovrane, mirëpo ky është komb-shtet pa ushtri. Kosova ka një Forcë të Sigurisë të armatosur lehtë, derisa ushtria ruse po e pajisë vendin e saj fqinj”, ka thënë Engel.

Kongresmeni Engel ka potencuar se Kosova në fillim të këtij muaji bëri një hap të vogël drejtë krijimit të ushtrisë, legjislacioni i së cilës është dërguar në Kuvend.

“Të gjithë e dimë si shkon ky proces. Por, si do të jetë ushtria e Kosovës? Do të jetë multietnike, ashtu siç është Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës. Do të jetë partnere me vendet e perëndimit dhe NATO’n në ndjekje të stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar”, ka thënë Engel.

Anëtari i Komisionit ka thënë se derisa Kosova po ecë me hapa të ngadaltë drejtë themelimit të ushtrisë, ushtria në Serbi po përfiton dhe pajiset nga Rusia. Ajo ka marrë tanke të tipit “T-2”, luftarake “MIG-29”, sistemin raketor kundërajror “S-300”.

the authorE B