Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, me të cilin lidershipi kosovar nuk ka edhe aq raporte të mira për shkak të marrëdhënieve të veçanta të tij me Serbinë, nuk e ka pritur fare konstituimin e institucioneve të reja në Kosovë për të pritur në zyrën e tij disa përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në faqen zyrtare të Komisionit Evropian, sot në mëngjes shkruante se në orën 11:45, Hahn pret një grup të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, ndonëse Parlamenti i Kosovës është shpërbërë muaj më parë dhe ende nuk është konstituuar Parlamenti i ri.
Përkundër kësaj, pa u certifikuar ende rezultatet zgjedhore dhe pa u betuar deputetët e rinj, mësohet se Hahn kishte vendosur të priste Albin Kurtin, Visar Ymerin dhe Shpend Ahmetin.
Ky i fundit është kryetar i Prishtinës dhe zyrtarisht ka deklaruar se nuk do ta mbajë mandatin e deputetit.
Dokument:
Por, pa kaluar as një orë, vetë Komisioni Evropian e hoqi tërësisht prej agjendës këtë takim të komisionerit Hahn.
Dokument:
Që nga përfundimi i procesit zgjedhor, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë zhvilluar takime të ndryshme në Bruksel, në përpjekje për t’i bindur ata se mund të jenë partner kredibil në temat si dialogu me Serbinë dhe themelimi i Zajednicës.
Disa prej takimeve të tyre me eurodeputetë janë bërë publike edhe prej vetë atyre.
Ndërsa, komisioneri Hahn ose ka harruar që në Kosovë janë mbajtur zgjedhje të lira dhe ende nuk janë konstituuar as parlamenti dhe as qeveria e re, ose për më keq, ai me vetëdije po provon të promovojë dhe ndikojë në procesin paszgjedhor në Kosovë.
I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ditëve të fundit ka nisur një fushatë të gjerë edhe në mediat serbe, ku kryesisht është duke folur për dialogun me Serbinë dhe integrimin e serbëve të Kosovës.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje mësohet se këto ditë janë takuar edhe me Fabrizia Panzettin, shefe e kabinetit të Federica Mogherini, porse ky takim nuk është bërë publik.
Si duket, pas heqjes prej agjendës së takimeve zyrtare, edhe takimi i sotëm i komisionerit Hahn ose nuk do të mbahet fare ose nuk do të bëhet publik.
Megjithatë, kjo pritje e sotme e komisionerit Hahn do të ishte edhe thyerje e traditës së BE-së, e cila asnjëherë nuk ka pritur zyrtarë qeveritarë apo të Kuvendit të Kosovës gjatë procesit të krijimit të institucioneve të reja./Gazetaexpress/