ChildPact (Koalicioni Rajonal për Mbrojtjen e Fëmijëve) dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) publikuan një studim krahasues ndërmjet rezultateve të Indeksit të Mbrojtjes së Fëmijës dhe Raportit të Progresit të Bashkimit Europian për Kosovën, duke e vënë theksin në një sërë veprimesh që Kosova duhet të ndërmarrë për të zhvilluar më tej kapacitetet e saj për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve.
Raporti i Progresit i BE-së dhe Indeksi i Mbrojtjes së Fëmijës kanë theksuar se zbatimi i kornizës ligjore të Kosovës për të drejtat e fëmijës duhet të jetë prioritet kyç i qeverisë.
Në panel morën pjesë Avokati i Popullit Hilmi Jashari, Zëvendës Shefi i Zyrës së UNICEF në Kosovë James Mugaju dhe Drejtoresha Ekzekutive e KOMF Donjeta Kelmendi.
Çështjet kyçe:
– Problemi kryesor në këtë fazë është hendeku i madh mes politikave dhe zbatimit: është e rëndësishme që korniza e duhur ligjore të jetë në vend, por ajo nuk duhet të ekzistojë vetëm në letër.
– Burimet e mjaftueshme buxhetore duhet të jenë të dedikuara për të siguruar se të drejtat e të gjithë fëmijëve në Kosovë janë të mbrojtura, dhe gjithashtu në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
– Raporti i Progresit të BE-së dhe Indeksi i Mbrojtjes së Fëmijës kanë theksuar se zbatimi i kornizës ligjore të Kosovës për të drejtat e fëmijës duhet të jetë prioritet kyç i qeverisë.
Raporti propozon një krahasim të tërthortë i cili përcjell përmbledhjen e Raportit të Progresit të BE-së për çështjet e fëmijëve duke u ndërlidhur me ato indikatorë të Indeksit, ku Kosova ka shënuar rezultat negativ ( rezultati 0 – duke mos qenë aspak në përputhje me standardet e parashikuara).
Kosova duhet të bëjë një investim të fuqishëm financiar që të ndërtojë kapacitetin e duhur për të mbyllur hendekun mes legjislacionit dhe zbatimit të tij. Kosova duhet të ndërtojë një plan financiar të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve sociale përmes krijimit të grantit specifik për shërbime sociale. Kosova duhet të krijojë monitorim të qëndrueshëm, të pavarur dhe mekanizma të inspektimit për të inspektuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve. Hulumtimi dhe mbledhja e të dhënave duhet të jenë prioritet për të përcaktuar dominimin e çështjeve të ndryshme në Kosovë.
Kosova ende duhet të bëjë shumë përpjekje në luftimin e trafikimit të fëmijës dhe punës së rëndë të fëmijës, duke bërë një koordinim më efektiv mes autoriteteve të përfshira në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Kosova duhet të sigurojë kujdes më të mirë për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ky studim krahasues mes Raportit të Progresit të BE-së dhe Indeksit të Mbrojtjes së Fëmijës përfshin informacionin se si shtetet e tjera të rajonit i kanë prezantuar reformat kyçe në ato fusha ku politikat aktuale të Kosovës nuk janë në përputhje me KDF.