Aktuale

KOMF: Fëmijët me aftësi të kufizuara po diskriminohen në Kosovë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Sindromën Down, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, apelon ndaj të gjithë organeve e institucioneve në nivel qendror e lokal, për më shumë mirëqenie, përkujdesje dhe garantim të të drejtave të barabarta për të gjithë fëmijët me Sindromën Down.
Sipas KOMF-it, në Kosovë, pjesa dërrmuese e fëmijëve me aftësi të kufizuara ende vijojnë të jetojnë në kushte të vështira dhe nuk i gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre.

“Qeveria e Kosovës dhe komunat duhet të investojnë më shumë duke e bërë prioritet mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, përmes ndarjes së buxhetit të nevojshëm për zbatimin e politikave, ligjeve dhe strategjive në sektorin e shëndetësisë, të mirëqenies sociale dhe atë arsimor”, thotë KOMF.

KOMF përfiton nga ky rast për të bërë edhe një herë apel te të gjitha institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkretë, të krijojnë dhe zhvillojnë shërbime e të mundësojnë qasje, në mënyrë që të gjithë fëmijëve t’u sigurohen shërbimet adekuate pa diskriminim, e drejta për arsim cilësor, shëndetësi dhe mirëqenie, “sepse të gjithë fëmijët meritojnë mbrojtje e të drejta të garantuara”.

“Mbrojtja dhe të drejtat e fëmijëve duhet të jenë një ndër prioritetet e qeverisë dhe shoqërisë sonë. Për këtë arsye, KOMF bën thirrje për angazhimin e të gjitha institucioneve, vendimmarrësve si dhe profesionistëve të mandatuar për mbrojtje të fëmijëve, me qëllim përmirësimin e menjëhershëm të situatës aktuale, duke mbrojtur gjithmonë interesin më të lartë të fëmijëve”, përfundon KOMF.

the authorE B