Sport

Klubi egjiptian akuzon kundërshtarët se përdorën ‘magji të zezë’ për t’i mundur

Pas disfatës në finalen e Ligës së Kampionëve të Afrikës, presidenca e klubit Zamalek e quan si të padrejtë humbjen.

Mamelodi Sundowns nga Afrika e Jugut, ka arritur të triumfoi në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve të Afrikës, duke e mposhtur Zamalekun 3:1.

Pas disfatës presidenti i klubit egjiptian,  Mortada Mansour ,ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kundërshtarëve, duke thënë se ata përdorën magji të zezë, për t’ua pamundësuar futbollistëve të klubit të tij të triumfonin, transmeton KosovaPress.

“A është e mundur që të humbasësh 18 raste të pastra për gol? Asgjë nuk ishte normale në këtë ndeshje dhe jam i bindur se ata kanë bërë magji të zezë”, ka thënë Mansour, që i ka lënë të shtangur të gjithë me këtë akuzë.

Një akuzë të ngjashme ka drejtuar edhe anëtari i bordit të klubit Zamalek, Hany Zada.

“I kam parë me sytë e mi se në Afrikë përdorin magji të zezë, nuk po them sesa ndikon ajo, por dua të konfirmoj se në këtë kontinent ende kryejnë rituale të tilla”.

“Është një fis rreth 80 kilometra larg kryeqytetit të Afrikës së Jugut që ende kryen magji të zezë. Po ashtu edhe në Afrikën e Veriut ka disa vende ku kam parë magji të zezë”.

Mbetet të shihet se çfarë reagimi do të ketë nga Konfederata Afrikane e Futbollit, në lidhje me këto akuza që janë edhe raciste nga kryesuesit e klubit të Zamalek.