Ligave të futbollit pritet t’u jepet opsioni për të vazhduar me rregullën për t’i bërë pesë zëvendësime brenda një ndeshjeje edhe për një sezon tjetër.
Numri i zëvendësimeve që lejohen brenda ndeshjes u ndërrua nga tre në pesë për t’i mbrojtur lojtarët pas karantinës shkaku i koronavirusit. Kjo masë u ndërmor në mënyrë që lojtarët të mos lodhen më tepër sesa që do të jetë e nevojshme shkaku i orarit të ngjeshur, transmeton Gazeta Express.
Ky rregull i ri pritej të jetë vetëm i përkohshëm. Megjithatë, tani The Athletic shkruan se Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB) do të ofrojë zgjatje të këtij rregulli deri në fund të këtij sezoni këtë javë.
Kjo pasi që autoritetet e futbollit ndërkombëtar besojnë se lojtarët do t’i kenë të njëjtat shqetësime edhe sezonin e ardhshëm shkaku i agjendës së komplikuar nga garat dhe ndeshjet e mbetura pezull të këtij sezoni.
Megjithatë, disa trajnerë të Serisë A, si Gian Piero Gasperini i Atalantas, e kanë bërë të qartë se preferojnë t’i bëjnë vetëm tre zëvendësime gjatë ndeshjeve.
Shumica e klubeve dhe trajnerëve besojnë se rregulla për t’i zëvendësuar pesë lojtarë gjatë ndeshjeve u jep përparësi klubeve me skuadra më të mëdha, pasi që ata mund të inkuadrojnë lojtarë të freskët në lojë pa e ulur nivelin e cilësisë.