Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka thënë se lojtarët e skuadrës së tij janë duke u treguar të emocionuar si pesë apo gjashtëvjeçarë për kthimin e futbollit, përderisa pushimi i detyruar nga koronavirusi duket se po i afrohet fundit.
Liverpoolit i nevojiteshin vetëm edhe dy fitore për ta fituar trofeun e Premierligës për herë të parë në histori, mirëpo gara u pezullua përkohësisht në mars shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë, transmeton Gazeta Express.
Tani, përderisa përhapja e virusit Covid-19 po ngadalësohet, Premierliga synon rinisjen e ndeshjeve në qershor, përderisa klubet pritet t’u kthehen seancave stërvitore më vonë gjatë muajit maj.
Klopp e ka pranuar se lojtarët e tij janë tëemocionuar të luajnë sërish futboll, mirëpo paralajmëroi që fillimisht do të duhet të bëhen përgatitje të shumta për ta rinisur futbollin.
“Djemtë kanë shumë punë për të bërë, punë fizike sepse ne presim të kthehemi në fushën e blertë sërish. Nuk e di saktësisht se kur, por ne duhet të përgatitemi për këtë – këtë e bëjnë djemtë”, ka thënë Klopp.
“Kur të bëhemi bashkë sërish, duhet ta nxjerrim më të mirën nga situata në të cilën ndodhemi. Ne nuk e dimë se sa gjatë do të kemi mundësi t’i përgatisim ndeshjet, kështu që do të duhet të tentojmë në çdo moment”.
“Kur ne ua japim nga një sfidë djemve në kopshtet e shtëpive të tyre, ne mund t’i shohim ata duke luajtur si djelmosha pesë apo gjashtëvjeçarë. Këtë energji do të tentojnë ta marrim me vete edhe në fushën e lojës”.