Aktuale

Kisha serbe nuk lejon vizitën e Papës në Serbi

Kisha ortodokse serbe (KOS) me vite të tëra përsërit se për vizitën e Papës nuk “ka ardhur koha e duhur”.

“Nëse pyetet KOS, dera e Serbisë për papën Françesko duhet të jetë e mbyllur derisa Vatikani nuk përkulet për viktimat e Jasenovcit, krimet ndaj serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore të kryera në emër të Kishës Katolike gjatë kohës së Shtetit të Pavarur Kroat, dhe nuk pranohet roli i Alojz Stepincit në gjithë këto, por edhe derisa nuk kërkojnë falje për dëbimin e serbëve nga Kroacia gjatë luftës së fundit”, ka deklaruar patriarku i KOS Irinej.

Aq më tepër, me rastin e spekulimit të fundit në Serbi për vizitën e papës Françesko në vitin 2015, dhe pas vizitës së kryetarit të atëhershëm serb Tomisllav Nikoliq në Vatikan, ai ka thënë se “Papa ka të drejtë ta vizitojë Serbinë sepse ai nuk është burrështetas. Sikur të mos ishin arsyet të cilat i përmenda, nuk do të na pengonte ta vizitojë Serbinë dhe kishën tonë. Megjithatë, papa Françesko është njeri i kulturuar dhe nuk do ta vizitojë vendin tonë pa pëlqimin e kishës tonë”, transmeton Insajderi.com.

Kështu kanë mbetur të pasuksesshme edhe përpjekjet që kreu i Kishës Katolike dhe njeriu i parë i Vatikanit të sillet në Serbi me ftesën e ish kryetarit serb Boris Tadiq në vitin 2005, si edhe tani pas vizitës së parë të sekretarit të shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolini në Beograd javën e kaluar.

Ai u takua me kryetarin serb Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Brnabiq dhe ministrin e jashtëm Ivica Daçiq, por edhe me përfaqësuesit e KOS.
Me atë rast, Daçiq ka deklaruar se vizita e Papës është në interes të Serbisë për shkak të Kosovës.

“Qëndrimi im si burrështetas është se do të ishte në interes të Serbisë vizita e Papës, sidomos në kontestin e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës. Është shumë me rëndësi që Vatikani të mbetet pranë qëndrimit që mos ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe të bëhet aleat i Serbisë në mbrojtje të vlerave të rrezikuara krishtere në Kosovë”, ka thënë Ivica Daçiq.

Me të është pajtuar edhe analisti fetar serb Drashko Gjenoviq.

“Është e vërtetë se shteti i Vatikanit është i vogël por është shumë i fuqishëm. Në përpjekjet e shtetit tonë që ta pengojë përhapjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, për ne është shumë me rëndësi që Vatikani të mos e bëjë këtë, sepse në të kundërtën edhe nja 15-20 shtete do ta njohin shtetin e Kosovës”, ka deklaruar ai për gazetën serbe Telegraf.

the authorE B