Sport

Kikboksierët eliminohen nga Evropiani për mosnjohje të rregullave

Kikboksierët Valdrin Ibishi e Gëzim Behrami e kanë humbur të drejtën e garimit në Kampionatin evropian për kadetë dhe juniorë, që të shtunën përfundoi në Shkup.

Dhe këtë të drejtë e kanë humbur jo për shkak të performancës së tyre në ring, por për shkak të mosnjohjes së rregullave. E me rregullat e reja nuk ishin të njoftuar as zyrtarët e Federatës së Kikboksit të Kosovës, që ishin me sportistët në Shkup, shkruan KD.

E rregullat e reja i detyrojnë kikboksierët që të bëjnë matjen pas çdo xhiroje që e kalojnë, e jo si në të shkuarën kur është bërë vetëm para nisjes së turneut.

Në fakt, kikboksierët kosovarë xhiron e parë e kaluan pa luftë dhe për këtë nuk u paraqitën në matje për xhiron e dytë. Kryetari i Federatës së Kikboksit të Kosovës, Fatmir Makolli, e ka pranuar fajin.