Dy seanca pritet të mbahen gjatë kësaj jave, njëra të enjten dhe tjetra të premten, megjithatë, Ligji për Transformimin e FSK-së në Ushtri nuk do të shkojë në Kuvend.
Kështu kanë deklaruar kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve politike në Kosovë, pas mbledhjes së djeshme të kryesisë së Kuvendit, pjesë e së cilës pas disa muajsh ishte edhe Lista Serbe. Në seancën që pritet të mbahen të enjten pritet të shqyrtohen ligjet që kanë mbetur pa u shqyrtuar, kurse në të premten pritet të ketë dy interpelanca.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, pas mbledhjes së kryesisë, tha se aty u vendos që këtë javë të mbahen dy seanca, një ditën e enjte dhe një të premten.
“Bëmë një analizë për çështjet që kanë të bëjnë me shqyrtimin e ligjeve, për problemet që ka Parlamenti, disa nga kërkesat që kanë shtruar deputetët dhe kemi ndarë dy seanca, një seancë e kemi caktuar për të enjten, në të cilën do të shqyrtohen vetëm ligjet që kanë mbetur pa u shqyrtuar dhe ligjet që janë në propozim”, ka deklaruar ai.
Kurse të premten, siç është shprehur Haliti, në rend të ditës ndër të tjera do të përfshihen dy interpelanca.
“Të premten kemi caktuar një seancë ku do të jetë pika e rendit të ditës me çështje të ndryshme, pyetje-përgjigje, do të ketë dy interpelanca dhe një debat. Interpelanca e kërkuar për z. Mustarfa është shtyrë sepse është zyrtarisht në udhëtim”, ka shtuar ai.
Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së kryesisë ka vlerësuar se Kuvendi nuk është duke funksionuar si duhet.
“Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionuar as për së afërmi në parametrat e përgjegjësive që i ka. Ne sot u mblodhëm dhe vendosëm si t’ia bëjmë pikave të pavotuara të seancave të 9 dhe 14 shkurtit”, ka deklaruar ai.
Konjufca më tej ka bërë të ditur se as në këtë mbledhje nuk u diskutua rreth procedimit të Projektligjit për Ushtrinë.
“Edhe kësaj radhe nuk patën ndonjë gjë për ushtrinë, po vërehet se kemi një tërheqje të presidentit, pas atij vrulli që e pati. Se do ta bëjë ushtrinë me një protagonizëm të theksuar, këtë javë nuk kemi dëgjuar diçka kaq këmbëngulëse dhe këtu në kryesi nuk pati kurrfarë ligji për FSK-në. E sipas situatës që e lexoj unë, me gjasë nuk do të ketë as javën e ardhshme”, ka potencuar Konjufca.
Ai ka folur edhe për kthimin e Listës Serbe, me ç’rast ka thënë se përfaqësuesit e këtij subjekti më shumë janë grindur në mbledhjen e kryesisë, sesa kanë folur rreth çështjeve të tjera.
“Lista Serbe fillimisht u kthye për shkak që t’i shpëtonte mandatit të tyre. Ata folën edhe këtë mbledhje, mirëpo ajo që unë vërejta ishte ajo që më shumë u grindën mes vete”, ka shtuar ai.
Nga ana tjetër kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiç, ka deklaruar se vendimin e Listës Serbe për t’u kthyer në institucione e ka mbështetur edhe qeveria e Serbisë.
“Vendimin e kemi marrë para së gjithash në interes të popullit serb që jeton në Kosovë. Më vjen mirë që vendimin tonë e mbështeti edhe qeveria e Serbisë. Ne dëshirojmë që të kthehemi në institucione dhe duam që të respektohen të drejtat tona, para së gjithash të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, ka potencuar Simiç.
Ndërkohë, ka thënë se ky subjekt nuk e përkrah Projektligjin për Ushtrinë.
“Nuk e përkrahim Projektligjin për Ushtrinë sepse është në kundërshtim me Rezolutën 1244”, ka deklaruar ai pas mbledhjes së kryesisë.