Sport

Këta janë finalistët për çmimin “Trajneri i Vitit”

FIFA ka publikuar emrat e tre trajnerëve më të mirë për vitin 2016.

Claudio Ranieri, Fernando Santos dhe Zinedine Zidane janë tre kandidatët që do të garojnë mes tyre për çmimin “Trajneri i Vitit”, në ceremoninë gala të FIFA-s, që do të mbahet më datën 9 janar në Cyrih të Zvicrës.

Fituesi do të përcaktohet nga votat e trajnerëve dhe kapitenëve të gjitha të gjitha ekipeve përfaqësuese si dhe nga ato gazetarëve dhe të tifozëve. Favorit mbetet Claudio Ranieri që shkroi historinë me Leicester Cityn duke fituar titullin kampion në Premier Ligë me një skuadër që e nisi sezonin me objektivin për të siguruar mbijetesën.

Një arritje të pabesueshme realizoi edhe Fernando Santos. Trajneri 62-vjeçar udhëhoqi Portugalinë drejt fitimit të kampionatit Evropian, Francë 2016, duke mposhtur në finale vendin organizator.

Edhe pse ka më pak shanse se dy të parët për të fituar çmimin e trajnerit më të mirë të vitit, Zinedine Zidane në sezonin e tij të parë si trajner i Realit të Madridit ia doli të fitonte me ‘Los Blancos’ trofeun e 11-të të Ligës së Kampionëve në historinë e klubit dhe meritat më të mëdha për këtë sukses i takojnë pikërisht atij.