Aktuale

Këta janë 6 shtetasit që u deportuan me kërkesë të Erdoganit

Gjashtë shtetasit turq, banorë të Kosovës, të identifikuar si përkrahës të Gylenit, janë deportuar për në Turqi, të enjten, pak orë pas arrestimit të tyre nga Policia e Kosovës.
Media turke Hyrriet, shkruan se Agjencia Intelingjente e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Inteligjente në Turqi, kanë realizuar këtë operacion arrestimesh me sukses, shkruan Express.

Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya ve Yusuf Karabina, drejtues të institucioneve shkollore turke në Kosovë, por njëri nga ta me profesion mjek, përkundër se kanë qenë të pajisur me leje qëndrimi në Kosovë, atyre u janë pezulluar ato.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, bën të ditur se në bazë të mandatit të saj për zbatimin e ligjit për të huajt, ka revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit të Turqisë

“… ne si organ kompetent, gjatë administrimit të provave kemi konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e lejeqëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”, thuhet në njoftim të MPB’së.

Por, Gazeta Express ka siguruar lejeqëndrimet e këtyre personave, në të cilat shihet se kanë afat. Madje, disave prej tyre koha e skadimit u shënon deri në vitin 2023./Express./

the authorE B