Takimi i dy presidentëve në Bruksel ka ngjallur reagime të përziera në Kosovë në mesin e partive politike, por edhe në mesin e analistëve dhe njohësve të çështjeve juridike.
Disa thonë se presidenti Thaçi po përdor postin e tij për të marrë merita, të tjerë thonë se Presidenti është personi aktual për të biseduar me Serbinë, shkruan sot gazeta Zëri.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq në takimin e tyre joformal dje në Bruksel, të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, janë pajtuar që të dyja shtetet të nisin një fazë të re të dialogut me synim normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
Sipas presidentit Thaçi, takimi me presidentin serb Vuciq ishte fokusuar në domosdoshmërinë e hapjes së një faze të re të dialogut, që do të çonin drejt një normalizimi të plotë dhe pajtimi në mes shteteve tona dhe popujve tanë, shkruan Zëri.
“Ishte konkludim i përbashkët se vetëm normalizimi i raporteve të plota ndërshtetërore, vetëm pajtimi në mes vendeve dhe popujve tanë paraqet më tepër paqe, stabilitet për të dyja vendet, për rajonin, të ardhmen evropiane më të sigurt dhe të shpejtë të vendeve tona”, ka thënë ai.
Presidenti ka thënë se Bashkimi Evropian do të udhëheqë këtë proces suksesshëm, një proces intensiv, dinamik të kësaj faze të re me qëllim dhe me vizion të qartë, por në të njëjtën kohë edhe me afatizime kohore.
“Ne jemi dakorduar që ky proces të përfundojë sa më shpejt, që të jetë sa më shpejt i arritshëm, të finalizohet dhe të implementohet sa më shpejt”, ka shtuar ai.