Aktuale

Kërcënohet me jetë gazetari Musa Mustafa, përmes një mesazhi në gjuhën serbe (Foto)

Gazetari Musa Mustafa është kërcënuar me jetë, përmes një sms-i të dërguar në gjuhën serbe nga një numër nga Kosova.

Kërcënimi ka ndodhur të martën në orët e mbrëmjes.

Mustafa, i cili vepron në Mitrovicë dhe është drejtues i portalit ‘Infojeta.net’, ka treguar se rastin e ka paraqitur edhe në polici, pasi që atij përmes sms-it i është kërcënuar edhe familja.

Mesazhin kërcënues e ka prezantuar portali Veriu.info.

“Sot në mbrëmje kam marrë një kërcënim përmes një sms-i në telefon, se do të vritem dhe se do të ma zhdukin edhe familjen. Në këtë kërcënim më tutje thuhet se do të më zhdukin edhe ‘farën’ shqiptare, nëse shkruaj më kundër serbëve. Sms-i është dërguar në gjuhen serbe nga një numër i IPKO-së, që sipas policisë tani më nuk është i qasshëm në rrjet. Rastin e kam paraqitur ne Stacionin e Policisë në jug të Mitrovicës, ndërsa për këtë kërcënim është njoftuar edhe Prokurori”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Ai konsideron se kërcënimi ka të bëjë me një seri shkrimesh që i ka bërë, e që kanë të bëjnë me funksionimin e strukturave paralele të Policisë së Serbisë në veriun e Kosovës, funksionimin e grupeve te strukturave ruse si ushtria kozake, grupeve çetnike, si dhe shkrimeve që tregojnë se si funksionon krimi i organizuar nën udhëheqjen e Zvonko Veselinoviqit, Millan Radonjqiqit e Zoran Millojeviqit, i njohur me nofkën ‘Zela’.

Musa Mustafa ka punuar rreth 18 vjet në Koha Ditore si korrespodent nga Mitrovica, ndërsa me gazetari merret që 23 vjet.

the authorE B