Këshilltari i presidentit Thaçi, Bekim Çollaku, ka paralajmëruar tensione në Ballkan, nëse Kosova mbetet jashtë strategjisë së zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ai, përmes një opinioni të publikuar në ‘EUobserver’ ka thënë se kjo strategji e zgjerimit duhet të jetë politike dhe jo thjesht një dokument teknik.
Të martën e ardhshme, Komisioni Evropian pritet të publikojë strategjinë për Ballkanin Perëndimor dhe afatet e mundshme të anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe Kosovën, por siç shkruan Çollaku, Kosova nuk do të jetë në gjendje të bashkohet me BE nëse marrëdhëniet me Serbinë nuk janë zgjidhur tani.
“BE deri tani ka bërë vendime të mençura duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si një kusht i veçantë për pranimin e Serbisë në BE. Kosova është plotësisht e angazhuar për zbatimin me mirëbesim të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani, duke përfshirë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në pajtim me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë Çollaku në opoinonin etij për këtë çështje.
Ndër tjerash, këshilltari i kreut të shtetit ka shtuar se Bashkimi Evropian lehtë mund të i ndihmojë të gjashtë vendet të kapërcejnë çështje serioze bilaterale nëse një perspektivë e barabartë dhe e qartë për anëtarësim në BE u ofrohet të gjithëve.
“ Përkundrazi, ajo mund të shtojë më shumë tensione në rajon, nëse disa nga vendet janë të avancuara, ndërsa të tjerët kanë mbetur mbrapa”, ka shtuar ai.
Publikimi i strategjisë është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti. Në muajin prill, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të këtyre vendeve, ndërsa në muajin maj në Sofje pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimorë.
Këto zhvillime shihen si një përpjekje e ripërtërirë e Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019.
Hapi i parë është publikimi i raportit të Komisionit më 6 shkurt në Strasburg. Projekt dokumenti që është ende duke u diskutuar, me gjithë përfshirjen e të gjashtë vendeve të rajonit, parasheh që Serbia dhe Mali i Zi të hyjnë më parë se vendet e tjera në Bashkimin Evropian, ndoshta para vitit 2025.
Për katër vendet tjera, Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjën dhe Kosovën thuhet se deri atëherë duhet të jenë thellë në procesin e anëtarësimit. Por, derisa për Shqipërinë e Maqedoninë paralajmërohet që shpejt të hapin negociatat për anëtarësim, Bosnja mund të marr vitin që vjen statusin e vendit kandidat.
Kosova përmendet në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është kushti kryesor për Beogradin në përparimin e tij drejt Bashkimit Evropian. /Express/