Sport

Karateistët kosovarë me rezultate të dobëta në Botërorin për të rinj

Gjashtëmbëdhjetë karateistë nga Kosova morën pjesë në kampionatin botëror për kadetë, juniorë dhe karateistë deri 21-vjeç, i cili të dielën përfundoi në Tenerife të Spanjës. Por, paraqitjet e tyre kanë qenë tepër zhgënjyese duke mos i sjell Kosovës asnjë medalje.

Ky vlerësohet një numër i madh pjesëmarrësish për një vend të vogël si Kosova. Por i madh nuk ishte edhe numri i medaljeve apo i sukseseve të kosovarëve të rinj në botëror.

Në fakt, munguan plotësisht. Ndonëse është garuar në shumë kategori e në shumë grupmosha, kosovarët ishin larg zonës së medaljeve, shkruan sot Koha Ditore.

Vetëm një prej pjesëmarrësve pati plasman. Donart Vitija garoi në kategorinë deri 76 kilogramë për grupmoshën e juniorëve dhe u rendit i 11-ti. Kosovarët e tjerë nuk janë futur në mesin e karateistëve me plasman.

Botërori që nisi më 25 tetor kishte pjesëmarrje rekorde, ka njoftuar Federata Botërore e Karatesë. Karateja do të debutojë si sport olimpik në “Tokio 2020” dhe interesimi për këtë disiplinë luftarake është rritur shumë në vitet e fundit. Është rritur edhe konkurrenca. Në botërorin për të rinj garuan mbi 1.700 karateistë nga 110 shtete botërore.