Pavarësisht paralajmërimeve të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev se së shpejti do t’i njoftojë krerët e shtetit për fazën përfundimtare të negociatave nga qeveria ende nuk bëhet e ditur koha konkrete se kur do të ndodh kjo.
“Siç deklaroi kryeministri Zaev në fazën përfundimtare të negociatave nga pala maqedonase janë prezantuar më shumë opsione për zgjidhje të mundshme, por për një prej tyre është vërtetuar se ndoshta do të jetë e pranueshme për të dy palët. Nuk do të ketë komente të mëtejshme sepse fillimisht duhet të informohet lideri i VMRO-DPMNE, presidenti i shtetit dhe liderët tjerë, që do të ndodh shumë shpejt”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Ndryshe mbrëmë vonë mediat lokale kanë raportuar se Shkupi dhe Athina kanë arritur një marrëveshje mbi emrin e Maqedonisë, shtrirjen e përdorimit të emrit të vendit dhe akronimet
Kryeministrat Zaev dhe Cipras kanë arritur gjuhë të përbashkët për një opsion si zgjidhje e mundshme për çështjen e emrit. Pas takimit në Sofje me homologun e tij grek, Zaev tha se një opsion është i pranueshëm për të dyja palët. Kreu i ekzekutivit tha se tani mbetet që për këtë opsion të konsultohen faktorët e tjerë politikë dhe qytetarët e të dyja vendeve.
Në media u raportua se “Ilindenska Republika Makedonija” është zgjidhja e dakorduar dhe e pranueshme që fshihet pas deklaratës së sotme të kryeministrit Zoran Zaev ne Sofje, kur tha se ekziston një zgjidhje e pranueshme për te dyja palët.
Ne biseduam në mënyrë thelbësore dhe shqyrtuam disa opsione. Një nga opsionet është zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Vazhdojmë me konsultime në shtëpi, që të shohim nëse institucionet e sistemit, nëse praktikisht është e mundshme realizimi i kësaj zgjidhjeje. Nëse është e mundur, me gjasë do të kemi zgjidhje – deklaroi kryeministri Zoran Zaev, shkruan Alsat M.
Zaev ndonëse thekson se zgjidhja përfundimtare e emrit varet nëse opsioni në fjalë do të jetë i pranueshëm nga të gjitha palët në të dyja vendet, gjithsesi është optimist se zgjidhje do të ketë së shpejti, madje para Samiteve të rëndësishme të BE-së dhe NATOs.
Shpresojmë që para Samitit të BE-së të kemi zgjidhje. Shpresoj sinqerisht, por varet nga të dy palët, varet nga institucionet, Presidentët e vendeve, liderët e opozitës, liderët e tjerë politik dhe së fundi nga qytetarët e dy vendeve. Nëse nuk është e mundur ne do të vazhdojmë, me siguri. Ndërtuam miqësi të pakushtëzuar mes nesh dedikuar për një zgjidhje, por shpresoj që të jemi në kohë për ta inkurajuar Këshillin Evropian, NATO-n sepse presim ftesë nga NATO dhe datë për fillim të negociatave me BE-në – theksoi Zoran Zaev.
Zaev siguroi se marrëveshja nuk do të shkelë në dinjitetin e dy popujve.
Nga sot miqësia mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë është edhe më e fuqishme. Zgjidhim kontest që ta forcojmë dinjitetin dhe identitetin e qytetarëve në të dy vendet – shtoi Zaev.
Menjëherë pas takimit Zaev-Cipras, dy kryeministrat veç e veç takuan kancelaren gjermane, Angela Merkel. Merkel konfirmoi se Maqedonia dhe Greqia kanë shënuar përparim të rëndësishëm për çështjen e ermit.
Bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë përparojnë mirë dhe është shënuar progres i rëndësishëm. Çështja e emrit për Maqedoninë është e rëndësishme – tha kancelarja gjermane Angela Merkel.
Sa i përket zgjerimit të BE-së Merkel tha se për këtë çështje do të vendoset në Samitin e Unionit në qershor. Ajo ka konfirmuar perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.