Kandidatja e ekstremit të djathtë për presidente të Francës, Marine Le Pen, ka premtuar sot se sapo të zgjidhet presidente do ta bllokojë lëshimin e vizave afatgjate dhe do të vendosë taksë ndaj cilësdo kompani që punëson punëtorë të huaj.
Para rundit të parë të zgjedhjeve këtë të diele, Le Pen tha sot për RTL Radio se do ta nënshkruante një urdhër për ta ndalur menjëherë lëshimin e vizave afatgjate, në mënyrë që qeveria mund të verifikojë se ata nuk ia zënë vendet e punës qytetarëve francezë, transmeton Express.
Le Pen, e cila ka bërë fushatë kundër emigrimit dhe politikës së Evropës për kufij të hapur, po ashtu dëshiron që të vejë një taksë prej 10% ndaj kontratave të punës të të huajve dhe ta rimarrë kontrollin e kufijve francezë.
Sondazhet tregojnë se Le Pem është në mesin e katër kandidatëve kryesor, me asnjë favor të qartë. Dy kandidatët që dalin të parët të dielën, garojnë në balotazh më 7 maj./Express/