Kandidati presidencial në Serbi nga partia DSS, Aleksandar Popoviq, ka thënë në Mitrovicën veriore se kundërshton me forcë negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës.
Siç thotë ai “negociatat janë duke e vrarë praninë e shtetit serb në Kosovë dhe Metohi”.
“Si president i Serbisë do të anuloj marrëveshjet e Brukselit dhe do të bëj gjithçka që negociatat mbi Kosovën dhe Metohinë t’i kthej prapë në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Popoviq, raporton agjensia Beta.
Popoviq tha se “asnjë serb nuk mund të jetë i lirë derisa çdo serb në Kosovë dhe Metohi nuk është i lirë, ashtu siç edhe Serbia nuk mund të jetë një vend të lirë, ndërsa Kosova dhe Metohija nuk kthehet nën sovranitetin e saj të plotë”.
Por siç duket Popoviq-i mund të ketë harruar se Asambleja e Pergjithshme e OKB-së ka miratuar një rezolutë në Shtator të vitit 2010, ku u kërkua vazhdimi i dialogut “ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për promovimin e bashkëpunimit, arritjen e progresit në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve”. OKB-ja poashtu kishte mirëpritur rolin e BE-së në lehtësimin e ketij dialogu, raporton Gazeta Express.
Rezoluta është miratuar pas opinionit këshilldhënës të GJND-së ku u konstatua se Deklarata e pavarsisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombetare e as rezolutën 1244 të Keshillit të Sigurimit të OKB-së.