Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, tha të hënën se Kosova dhe gjendja e qytetarëve do të përmirësohet me punë të përbashkët.
Ai këto komente i bëri me rastin e përurimit të palestrës së re sportive në Kamenicë, ku ishte i shoqëruar nga ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani.
Duke uruar për këtë objekt shumë të rëndësishëm për qytetin e Kamenicës, kryeministri në largim Isa Mustafa tha se qytetarët e meritojnë një objekt të tillë, i cili i plotëson nevojat e të rinjve, sportistëve dhe qytetarëve.
“Është një investim i merituar, dhe konsideroj se është një rezultat i një pune të përbashkët edhe i komunës, ministrisë, pushtetit lokal, pushtetit qendror”, theksoi Mustafa, duke shtuar se kontinuiteti i ndërtimeve të tilla do të vazhdojë.
Ai uroi që ky objekt të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë, duke shprehur dëshirën që të ketë më shumë sportistë, më shumë të rinj që do të merren me sport.
Nga ana e tij, ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Shala tha se kjo palestër është një nga projektet e rëndësishme të Qeverisë, i përmbushur për Komunën e Kamenicës.
“Ju siguroj që investimet do të vazhdojnë. Qeveria do të përkrahë investimet dhe brenda këtij viti do të vazhdojmë investimet bashkë me komunën për ndërtimin e stadiumit të ri”, tha ministri Shala, duke shtuar se do të shihen projekte të reja sipas kërkesës dhe sipas nevojës së qytetarëve dhe sipas mundësive që ekzistojnë.
Ndërkaq, kryetari i Kamenicës, Begzad Sinani, tha se kjo palestër ka qenë projekt dhe premtim i përbashkët që punët të finalizohen në këtë mandat.
“Sot, ndihemi të gjithë të kënaqur dhe besoj të lumtur, e sidomos për sportdashësit e komunës sonë. Dëshirojmë që të shfrytëzohet në mënyrë efikase dhe ta shfrytëzojnë në tërë kapacitetin që është në këtë sallë”, tha Sinani.