Sport

Ja sa shumë do t’i kushtojë Real Madridit shkarkimi i Lopeteguit

Shkarkimi i Julen Lopeteguit nga posti i trajnerit të Real Madridit duket i pashmangshëm, pas ecurisë së tmerrshme në La Liga, por largimi i tij i parakohshëm do t’i shkaktojë gjigantit spanjoll edhe humbje financiare.
Madridi e emëroi Lopeteguin si zëvendësues të Zinedine Zidanit në prag të Kupës së Botës në Rusi këtë verë, duke e nxitur Spanjën ta shkarkojë atë menjëherë.

Tani, katër muaj më vonë, ai rrezikon ta humbasë punën në kryeqytetin spanjoll, por do t’i kushtojë Madridit shumë para për ta hequr qafe trajnerin bask.

Lopetegui ka kontratë me klubin deri në vitin 2021 me pagë vjetore prej gjashtë milionë euro, dhe klubi i ka garantuar atij se do t’ia paguajë 18 milionë euro nëse ndodh shkarkimi.

Paga nuk korrespondon me CV-në e Lopeteguit, por presidenti Florentino Perez kishte mbetur me shpinë për muri pasi trajnerët tjerë e kishin refuzuar – nga Mauricio Pochettino te Massimiliano Allegri, përfshirë gjermanët Jurgen Klopp dhe Joachim Low.

Secili prej tyre i thanë jo Madridit, duke e shtyrë Perezin të ngutej për të arritur marrëveshje me Lopeteguin, i cili ishte gati ta udhëhiqte Spanjën në Kupën e Botës.

Në fakt, Lopetegui kishte pagë vjetore në vlerë tre milionë euro me Spanjën.

the authorBurbuqe Metolli