Aktuale

Ja kush janë kandidatët për kryetar të Prizrenit

Derisa zgjedhjet lokale në nivel të vendit do të mbahen gjatë vjeshtës së këtij viti, partitë politikë tashmë kanë nisur që të përcaktohen për kandidatët e mundshëm për kryetar të komunave.

Pas Prishtinës, Prizreni është njëra ndër komunat që zgjon më së shumti interesim.

Nijaziu Kryeziu sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës thotë se debati për kandidatura ende nuk është në fazën e përcaktimit kur bëhet fjalë për emra të përveçëm.

Kryeziu nuk e përjashton mundësinë për një rikandidim të mundshëm të kryetarit Ramadan Muja.

“Është biseduar në forumet e partisë, dhe natyrisht jemi në fazën e analizës për këtë gjë. Çdo anëtar i PDK-së mund të propozohet dhe të propozojë pa kufizimie”, ka thënë Kryeziu për Indeksonline.

Sipas tij, PDK me partnerët qeverisës janë vullneti dëshira dhe koncepti i kërkesave të qytetarëve për të vazhduar mëtutje zhvillimin dhe ecjen tutje të Prizrenit. Nga ana tjetër Haxhi Avdyli, kryetari i degës së LDK-së në Prizren, thotë se partia e tij janë në fazën e diskutimit dhe më së largu deri në muajin prill edhe do të zyrtarizojnë kandidatin për të parin e komunës.

Për LDK-në në Prizren kandidat të mundshëm pritet të jenë Hatim Baxhaku ose Haxhi Avdyli.

“Jemi në fazën e diskutimit se kush do të jetë kandidat. Ne në Prizren e kemi një traditë që kryetari i degës zakonisht kandidon por ne jemi duke e shiku nëse kandidat do të jem unë apo Hatim Baxhaku . Nuk ka kurrëfarë diskutimi dhe pretendimi njëherë, jemi duke e bisedu me nëndegë dhe me aktivistët për t’i marrë edhe mendimet e tyre. Brenda muajit prill do të dalim me kandidaturën të cilën përmes dikutimeve tona do të zgjedhim se cili e ka mundësinë apo përkrahjen në mënyrë që ne mos ta humbasim këtë shansë”, ka thënë Avdyli për Indeksonline.

Për dallim nga partitë e lartëpërmendura Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është treguar më e vendosur dhe më e shpejtë kur bëhet fjalë për kandidatin.

Kjo parti ka zgjedhur Lulëzim Kabashin të kandidojë për kryetar të Prizrenit.

“Po kandidatura ime është vendosur tash e 6 muaj, unë do të jem kandidat për kryetar të Prizrenit. Nëse s’kishim me qenë optimist për fitore atëherë s’do të kandidonim hiç”, ka thënë Kabashi.

Kurse, partia e Fatmir Limajt këtë ‘garë’ ia ka besuar deputetit Zafir Berisha. Ky i fundit me Bashkimin Demokratik pati arritur të korrë një rezultat të mirë në zgjedhjet e vitit 2013.

Kurse sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje kontakti me ta ka qenë i pamundur për të marrë ndonjë prononcim të mundshëm lidhur me këtë temë.

Kujtojmë se qytetin e Prizrenit e udhëheq PDK-ja që nga viti 2007me Ramadan Mujën si kryetar i komunës

the authorE B