Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit pasi të bëhet rinumërimi i kutive për të cilat ka vendosur PZAP dhe pas njoftimit për vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me ndonjë ankesë të mundshme nga kandidatët për deputetë apo subjektet politike garuese në zgjedhjet e fundit.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së në një prononcim për Indeksonline ka thënë se rinumërimi i votave për të cilat dje vendosi PZAP-i, është duke ndodhur dhe pritet që sot gjatë ditës të përmbyllet rinumërimi i 117 kutive.
Ai ka folur edhe për kohën se kur do të bëhet certifikimi i rezultateve.
“KQZ do të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit pas përfundimit të rinumërimit të kutive për të cilat ka vendosur PZAP-i, si dhe gjithashtu do të presim njoftimin për vendimin nga Gjykata Supreme lidhur me ndonjë ankesë eventuale”, ka thënë Elezi.
Afati për dorëzimin e ankesave të mundshme në Supreme është 24 orë pas shpalljes së vendimit nga PZAP-i, që do të thotë përmbyllet sot në orën 14:00.
Në rast që nuk ka ankesa, atëherë certifikimi pritet të ndodhë më shpejt.