Në natën mes të enjtes dhe të premtes i është vënën zjarri veturës së liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, në veri të Mitrovicës.
Ivanoviq, në një bisedë për të përditshmen serbe “Vecernje Novosti”, ka thënë se është më se e qartë se zjarri është vënë qëllimshëm. Sipas tij, shumë gjurmë çojnë në këtë konstatim.
“Më e rëndësishme se kjo dhe nga ajo që unë do insistoj është zbulimi i kryerësve të kësaj vepre”, ka thënë Ivanoviq, transmeton Koha.net. Megjithatë, ai dyshon se Policia e Kosovës do të zbardhë këtë rast.
“Nuk pres asgjë nga kjo polici, sepse deri më tani nuk kanë bërë asgjë në raste të ngjashme. Ose është në pyetje mos-kompetenca, në çka unë dyshoj, ose bëhet fjalë për mungesë guximi dhe dëshire që të hyhet në ballafaqim me kriminelë dhe t’i zgjidhin rastet e këtilla”, thekson lideri i Iniciativës Qytetare SDP.
Veç kësaj, ai thotë se siguria e qytetit është prishur seriozisht sepse ndjenja e pasigurisë është e dukshme.
Ai shton se nuk ka armiq personalë dhe biznes privat përmes së cilit do t’i prishte punë dikujt, dhe thotë se është i sigurt se përmes kësaj i është dërguar porosia e qartë që të heq dorë nga kandidatura e planifikuar për zgjedhje lokale që do të zhvillohen në tetor.
“Është e qartë se kandidatura ime në njëfarë mënyre i ka rrezikuar interesat e individëve që s’janë legalë dhe janë krejtësisht jashtë ligjit, duke vlerësuar se me mua nuk do të mund të bëjnë ato që i bëjnë tani”, ka thënë Ivanoviq dhe ka shtuar se “e brengos fakti se kohëve të fundit disa intelektualë janë larguar nga qyteti në Ibër”, transmeton Koha.net.
Kjo është hera e dytë në 18 vjet që i digjet vetura Oliver Ivanoviqit.