Ditën e djeshme (e diele), Ministrat e Brendshëm të Gjermanisë, Francës dhe Italisë ranë dakord të takohen për bisedime urgjente në Paris pas paralajmërimeve të Italisë se fluksi i emigrantëve në vend është i papërballueshëm.
Italia ka kërcënuar se do të mbyllë portet e saj dhe do të ndalojë anijet e shpëtimit të agjencive të ndihmave të marrin njerëz nga Libia. Mbi 500 mijë emigrantë kanë hyrë në portet italiane që nga viti 2014. Qeveria italiane ka kërkuar reagimin e shteteve të tjera të Bashkimit Evropian pas mbërritjes së 12 mijë emigrantëve vetëm brenda dy ditësh, javën e kaluar. “Ajo që po ndodh para syve tanë në Itali është një tragjedi në zhvillim”, tha komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filipo Grandi. “Ky nuk mund të jetë vetëm një problem i Italisë” shtoi ai. Roja Bregdetare në Romë, aktualisht koordinon misionet e shpëtimit në zonë, por qeveria italiane tha se vende të tjera evropiane duhet të pranojnë një numër më të madh emigrantësh që vijnë nga Afrika.
Komisioneri i BE-së për emigrantët, Dimitris Avramopulos ka premtuar më shumë mbështetje financiare për Italinë dhe i kërkoi vendeve të tjera të tregojnë më shumë solidaritet. Sidoqoftë, duket se presioni i Italisë ka dhënë efekt. Paralajmërimeve të saj se mund t’ua mbyllë portet anijeve në operacionet e shpëtimit të emigrantëve, Bashkimi Europian iu përgjigj me gatishmërinë për të ndihmuar në lehtësimin e barrës që bie mbi shpatullat e Romës. “Italia është nën një presion të madh. Ne duhet ta pranojmë dhe t’i garantojmë asaj mirëkuptim e mbështetje të plotë. Pjesa dërrmuese e njerëzve që vijnë në Europë kalojnë nëpërmjet Italisë, e shumica janë emigrantë të parregullt. Italia ka të drejtë, gjendja është mjaft e vështirë dhe këtë e pranuan të premten të 28 udhëheqësit e vendeve anëtare të bllokut”, tha Dimitris Avramopoulos, komisioner i BE-së për Emigracionin.
Avramopoulos thotë se duhet kaluar në veprim. “Roma duhet të ndërmarrë masa për përshpejtimin e procedurave e të menaxhojë emigrantët në territorin e saj. Ne jemi gati ta shtojmë mbështetjen për të, duke përfshirë, nëse do të jetë e nevojshme, edhe rritjen e mbështetjes financiare”, tha Dimitris Avramopoulos. Që prej vitit 2014, në Itali kanë mbërritur gjysmë milion emigrantë me anije dhe një shifër rekord e tyre u shënua vetëm vitin e kaluar, me 181 mijë. Ambasadori italian në BE, Maurizio Massari ishte takuar më herët me Avramopoulos për ta informuar mbi seriozitetin e situatës, e për t’i thënë se Europa nuk mund t’i kthejë shpinën vendit të tij.