Sport

Ismet Munishi ka një porosi për Xhakën, Shaqirin, Behramin e Januzajn

Ismet Munishi ka thënë se është rasti i duhur që Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Adnan Januzaj dhe të tjerët të vijnë dhe të luajnë për Kosovën

Trajneri i mirënjohur kosovar, Ismet Munishi ka kërkuar nga yjet e Kosovës që luajnë për Kombëtaret e tjera të kthehen dhe të luajnë për Kombëtaren tonë.

Ai tha se ata nuk kanë më arsye që të mos kthehen e të luajnë, pasi e kanë rastin më të mirë të kthehen e të bëhen heronj të ri të Kosovës, ashtu si ata që dhanë jetën.

“Është detyrë patriotike e Shaqirit, Xhakës, Bahramit e të tjerëve që të vijnë e të luajnë për Kosovën. Deri me tani ata janë arsyetuar se nuk i ka ftuar Shqipëria, Kosova nuk ka pasur, ndërsa tani e kanë mundësinë. Ata e kanë një mundësi që të bëhen heronj të ri të Kosovës, ashtu sikurse që ata që dhanë jetën edhe këta mund të bëhen heronj të këtij vendi”, tha Munishi për Gazeta Express.

“Shembull shumë të mirë e kanë Majlinda Kelmendin, e cila përkundër milionave vendosi të vijë edhe të luaj për Kosovën”, vazhdoi ai.

Ai po ashtu tha se shpreson shumë që në vendimin e këtyre futbollistëve do të ndikojnë familjarët e tyre, të cilët ua kanë mësuar dashurinë për këtë shtet.

“Unë besoj shumë që familjarët e tyre, baba, nënat e tyre ju kanë mësuar dashurinë për Kosovën, pasi ata janë rritur në një vend tjetër dhe mund të mos ndjejnë njësoj si ne”.

Krejt në fund Munishi tha se nëse ata refuzojnë të luajnë për Kosovën atëherë do të ketë edhe prej atyre që do t’i quajnë tradhtar e do t’i fyejnë në mënyra të ndryshme, por tha se ai nuk është njëri prej tyre.

Brenda këtyre dy ditëve Kosovës i janë bashkuar Milot Rashica, Alban meha, Herolinda Shala dhe Sinan Bytyqi, ndërsa shumë afër janë edhe Shani Tarashaj dhe Përparim Hetemaj.