Barcelona është duke e tërhequr Pep Guardiolën të kthehet në shtëpi, prandaj ka shumë mundësi që trajneri spanjoll të largohet nga Manchester City në të ardhmen e afërt, sipas Trevor Sinclair, ish-anësorit të City.
E ardhmja e Guardiolës në futbollin anglez është vënë në pikëpyetje tash e një kohë, transmeton Gazeta Express.
49-vjeçari ka kontratë me Manchester City deri në verën e vitit 2021.
Deri tani, ai nuk ka biseduar me klubin për vazhdimin e kontratës e as nuk është zhytur në diskutime për atë se sa gjatë ka për qëllim të qëndrojë te kampioni aktual i Premierligës.
Ai e ka lënë të hapur derën e largimit, duke i nxitur njerëzit në Barcelonë ta mirëpresin mundësinë për kthimin e tij në stolin e Barçës.
Sinclair druhet se është vetëm çështje kohe për Guardiolën të kthehet në atdhe.
“Joan Laporta shkoi në Barcelonë kur Pep ishte trajner i ekipit të të rinjve dhe ia besoi atij ekipin e parë dhe Pep i fitoi 14 trofe brenda katër vjetëve… çfarë partneriteti i mahnitshëm”, tha Sinclair.
“Nuk gjen partneritet të tillë me një person në një klub që e dashuron… Pep është katalonas kokë e këmbë. Dhe nëse largohesh, mendoj që zemra gjithmonë do të të thotë të kthehesh në shtëpi dhe mendoj se është një person i cili mund ta kthejë Guardiolën në Barcelonë; Joan Laporta”, shtoi ai.
“Ne e dimë qe Pep e humbi nënën shkaku i koronavirusit dhe ndiej se Barcelona po e tërheq të kthehet dhe ka shumë mundësi që ai do të kthehet në Barcelonë në fund”, theksoi ai.