Sport

Ish-kryediplomati malazez: Kosova e Mali i Zi duhet të thellojnë bashkëpunimin

Republika e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi duhet të vazhdojnë bashkëpunimin bilateral dhe të fokusohen në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian, ka thënë të premten në Prishtinë ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vllahoviq.

Vllahoviq, i cili një kohë ka shërbyer edhe si ambasador malazias në Washington, ka mbajtur një ligjëratë në organizim të Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ku temë diskutimi ishte “Ballkani Perëndimor, sfidat dhe perspektivat: një këndvështrim nga Mali i Zi”, shkruan sot Koha Ditore.

Siç bëhet e ditur nga një komunikatë e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, derisa ka folur për raportet e mira ndërfqinjësore, ish-ministri i Jashtëm malazias, Vllahoviq, ka theksuar se në të mirë të të dyja shteteve, Kosova dhe Mali i Zi duhet të thellojnë bashkëpunimin e tyre në marrjen e iniciativave të përbashkëta që kanë për qëllim përshpejtimin e procesit integrues në Bashkimin Evropian.

Në këtë ligjëratë është diskutuar edhe për tema të tjera sa i përket bashkëpunimit rajonal në interes të integrimit evropian, ndërsa ish-ministri Vllahoviq është përgjigjur në pyetjet e shumta të audiencës, e cila përbëhej nga përfaqësues të korit diplomatik, zyrtarë të MPJ-së, përfaqësues të institucioneve të tjera, si dhe të shoqërisë civile, thuhet në fund të komunikatës së MPJ-së.