Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, është e pamundur që të ndalet, sipas ish-sulmuesit të Real Madridit, Rafael van der Vaart.
31-vjeçari argjentinas po shijon një sezon spektakolar, duke shënuar “hat-trick” e 50-të në karrierën e tij. Këtë “jubile” e rrumbullakosi në fitoren e La Liga-s ndaj Sevilla, të shtunën e kaluar.
Përpara ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, Van der Vaart foli për atributet që e bëjnë Messin të pandalshëm.
“Ai është nga një botë tjetër, – tha holandezi për “El Larguero”. – U mahnita me paraqitjen që bëri kundër Sevilla. Është e pamundur ta ndalosh atë, sepse ai shfaqet kudo. Ai vallëzon me topin, ka shpejtësi dhe teknikë, ndaj nuk mund ta mbrosh”, tha van der Vaart.
Van der Vaart shpreson që ish-skuadra e tij të përparojë në finalen e Kupës së Mbretit, me sfidën e parë të mbyllur 1-1 në “Camp Nou”.
Ish-lojtari i kombëtares së Holandës kujtoi një “El Clasico” të një dekade më parë, kur Messi dhe Thierry Henry shënuan në fitoren 6-2 të Barcelonës në Madrid.
“Kur isha në Madrid, Barcelona ishte shumë më mirë se ne, shumë më mirë se të gjitha ekipet e tjera në botë, në atë kohë. Më kujtohet që ndeshja përfundoi me rezultatin 2-6, dukej si një lojë “PlayStation”, u shpreh ai. /FaktePlus





















