Tech

Isabella kthehet pas gjashtë dekadave (Foto)

Auto-kompania e ripërtërirë Borgward pas më shumë se gjysmë shekulli ka prezantuar në sallonin e automobilave në Frankfurt versionin modern të modelit legjendar Isabella të viteve ‘50-ta.

Koncepti Isabella paraqet interpretimin modern të ish-modelit të dikurshëm legjendar me të njëjtin emër.

Në kompaninë Borgward thonë se bëhet fjalë për modelin me katër dyer dhe katër ulëse, dhe me dizajn modern, i cili bart bukurinë dhe teknologjinë më të avancuar, transmeton KosovaPress.

Koncepti ka gjatësi prej 5 metra dhe gjerësi prej 1.9 metra dhe lartësi 1.4 metra.

Detajet teknike për sistemin motorik nuk janë bërë të ditura.

Borgward, selia e të cilit është në Shtutgart, në dy vjetët e fundit ka prezantuar disa automjete të paraprodhimit nga segmenti crossover/SUV.

Në Frankfurt është paralajmëruar se do të hyjnë në tregun gjerman deri kah fundi i vitit me njësitë e para të modelit serik Borgward BX7 TS Limited Edition. Më vonë blerësve do t’iu ofrojnë edhe modelet BX5 dhe BX6.

Kompania është formuar pas Luftës së Parë Botërore nga Carl F.W. Borgward. Fillimisht, fabrika prodhoi automjete të lira me tri rrota- Blitzkarren, të cilat janë përdorur edhe në shërbimin postar të Gjermanisë.

Borgward mbetet i njohur për modelet e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, siç janë Hansa 1500, Isabella dhe P100. Kompania përveç automobilave ka prodhuar edhe kamionë, autobus dhe helikopterë.