Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë një takimi me strukturat e kësaj partie në Istog, shprehu besimin se LDK do të shënojë fitore bindëse në shumicën e komunave në zgjedhjet e 22 tetorit, përfshirë edhe Istogun.
Ai ka thënë se LDK-ja po dëshmon se është serioze në premtime dhe ka përgjegjësi për premtimet e dhëna, ndërsa u shpreh i bindur se kandidati i LDK-së- në Istog do të shënojë fitore pa balotazh.
“Është punuar në projektet kryesore, në ato që qytetarëve ju ka interesuar në ato të cilat ka pasur resurse. Zoti Rugova kishte me bërë edhe më shumë me pas pasur fuqi financiare. Por është bërë maksimumi që është kërkuar nga ta. Kemi orientime edhe të zhvillimit ekonomik, urban, infrastrukturor, arsimor, kulturor. Gjatë kësaj periudhe të cilat janë shumë të besueshme dhe të cilat janë shumë konkrete. Nuk kemi asnjë rast jo që dyshojmë në fitore por në të gjitha rastet besojmë në fitore shumë bindëse. Kemi interesim të madh, përkrahje të madhe për LDK. Kemi programe shumë konkrete që LDK e ofron në terren. Edhe një artikulim të shkëlqyeshëm të kandidatëve tanë që i kemi për kryetar të komunës. Gjithkund jam shumë konkret, shumë i qartë, jam shumë bindës dhe jemi shumë të përgjegjshëm për atë që u ofrojmë qytetarëve. Unë besoj se ne do ta shtojmë numrin e komunave në këto zgjedhje”, tha Mustafa.
Kandidati për kryetar të Istogut, Haki Rugova, ka thënë se ekziston një bindje e plotë se LDK do të fitojë në Istog edhe kësaj radhe.
“Të gjithë ne që jemi të angazhuar e kemi gatishmërinë , vullnetin e fortë, bindjen, që të vazhdojmë edhe më tutje. Nuk kemi edhe pse rezultatet e punës, sidomos në mandatin e fundit kanë qenë të fuqishëm janë të faktuara me fakte, mendoj që ne kur i konsultojmë në terren po dalim edhe me projektet tona sidomos në bazë të konceptit programeve zhvillimore që i ka ndërtuar LDK duke i marrë cilësitë, edhe ato veçantitë që i ka komuna jonë”, tha Rugova.