Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës, udhëheqësve të institucioneve shtetërore dhe liderëve politik, të vazhdojnë të përmbushin obligimet kushtetuese, ndërkombëtare dhe ligjore në raport me Gjykatën Speciale, dhe mos të ndërmarrin veprime të cilat dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, të cilat rrezikojnë të ardhmen dhe perspektiven euro-atlantike të popullit të Kosovës.
IKD vlerëson se iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale cenon rëndë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, bie ndesh me vlerat dhe parimet ndërkombëtare lidhur me sundimin e ligjit për të cilat është zotuar Kosova dhe konteston rënd subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të shtetit të Kosovës sepse paraqet një shqetësim serioz të dobësimit të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
“Ky hap, po u realizua, përfundimisht tregon se Kosova ka mungesë të pasjes së zotësisë për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale me shtete dhe organizata ndërkombëtare si pasojë e moszbatimit të të njëjtave marrëveshje ndërkombëtare për të cilat është zotuar se do t’i zbatoi në mënyrë solemne dhe me shkrim. Ky hap, po u realizua, paraqet edhe cenim të rënd të zakonit ndërkombëtar, diçka që Kosova nuk guxon dhe nuk duhet t’ia lejoi vetes nëse merret parasysh statusi i pakonsoliduar i shtetësisë së Kosovës. Madje, një qasje e tillë e Kosovës në raport më bashkësinë ndërkombëtare, bie në kundërshtim me parimin bazë të përgjegjësisë së shtetit në të drejtën ndërkombëtare, e cila përcakton qartë se çdo shtet që shkel një obligim ndërkombëtar duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij deliktore: është përgjegjësi e shtetit që nuk respekton obligimet ndërkombëtare që menjëherë të nda loj veprimet e tilla ose, në të kundërtën, të përballet me pasoja. Këto pasoja në rastin e Kosovës do të ishin të pariparueshme.Kosova si një shtet i ri, i cili ende është në fazën e shtet ndërtimit, me demokraci të brishtë, ekonomikisht dhe financiarisht i varur nga ndihmat dhe mbështetja ndërkombëtare, me nivel shumë të ultë të sundimit të ligjit, në kërkim të rrugës për të forcuar subjektivitetin e tij ndërkombëtar, duhet të sigurohet që të ndërmarr veprime dhe vendime politike që ngritin besimin dhe imazhin e saj në arenën ndërkombëtare.
Sipas IKD-së, çdo anashkalim nga kjo rrugë apo përpjekje e institucioneve të Republikës së Kosovës për të iu bishtnuar obligimeve ndërkombëtare, siç është rasti me Gjykatën Speciale, do të vente në rrezik shtetësinë e saj./KosovaPress/