Sulmuesi i Manchester United, Zlatan Ibrahimoviq ndodhet para suspendimit me tri ndeshje për shkak të incidentit në takimin me Bournemuth.
Suedezi kishte goditur me bërryl në kokë Tyron Mings gjatë një dueli në ajër, ndërsa ky i fundit e kishte qëlluar me atlete në kokë pas një ndërhyrje të palejuar në mesin e fushës.
Ata nuk ishin dënuar për këto ndërhyrje gjatë ndeshjes, por Asociacioni i Futbollit i kishte akuzuar për sjellje të dhunshme. Ata kanë afat deri të martën në ora 19:00 që të bëjnë ankesë, transmeton KosovaPress.
FA në kumtesë ka bërë të ditur se për të dyja ndërhyrjet janë të paraparë kartonët e kuq, ndërsa përjashtimi direkt në mënyrë automatike do të thotë tri ndeshje mos lojë, gjë e cila do të ndodhë me Ibrahimoviq dhe Mings nëse shpallen fajtor.
“Çfarëdo që ndodh në terren, mbetet në terren. Nuk jam ndonjë që sulmon lojtarët tjerë në lojë. Kam shkuar në top dhe ai fatkeqësisht ka kërcyer në bërrylin tim. Shpresoj se nuk është lënduar”, ka thënë Ibrahimoviq.
Nëse suspendohet me tri ndeshje, Ibrahimoviq do të mungojë në ndeshjen çerekfinale kundër Chelsea në Kupën FA, dhe takimet kundër Middlesbrough dhe West Bromvich në Premier League, ndërsa Mings do të mungojë kundër West Hem, Swansea dhe Sauthempton në kampionatin anglez.