Agjenti i mbrojtësit të Kombëtares, Elseid Hysajt ka lavdëruar klientin e tij në një intervistë për mediat italiane
Giuffredi është pak i befasuar me trajnerin e Shqipërisë, Christian Panucci, i cili në ndeshjen ndaj Maqedonisë e kishte vendosur Hysajn në qendër të mbrojtjes.
“Vura re që Panucci e aktivizoi si mbrojtës qendre. Hysaj ka eksperiencën taktike për të luajtur kudo, por maksimumi i tij vjen në krahun e djathtë të mbrojtjes”, tha Giuffredi.
Ai u shpreh se mbrojtësi shkodran është plotësisht i gatshëm për t’u aktivizuar në ndeshjen e të dielës në mbrëmje, që Napoli do ta luajë në Bologna.
“Është rikthyer dje dhe është në dispozicion të Sarrit. Ai është gjithmonë i gatshëm dhe nuk ka nevojë për kohë për t’u rikuperuar. Janë të paktë futbollistët në Evropë, që kanë minutazhin e tij në këmbë, ndaj mund të them pa frikë që Hysaj është një makinë lufte”.
Në fund agjenti i Hysajt theksoi se ky është viti i duhur për Napolin, për të fituar titullin kampion, ndërsa cilësoi Juventusin si rivalin e vetëm për t’u mundur. /Express/