Skuadra e Koln nuk e pranon disfatën e thellë nga Borussia Dortmund.
Futja e teknologjisë në futboll po sjell reagimet e para nga skuadrat. Një rast konkret është përballja mes Borussia Dortmund dhe Kolnit e cila ndonëse u mbyll me fitore të thellë të vendasve me rezultat 5:0, bëri që mysafirët të reagojnë ashpër ndaj një vendimi të gjyqtarit.
Teksa rezultati ishte 1:0, një gol i Sokratis Papastathopoulos u anulua fillimisht nga gjyqtari, por pas rishikimit të incizimeve nga VAR, goli u cilësua i rregullt, çka çoi edhe në reagime të shumta nga zyrtarët e Koln, të cilët nuk duan ta pranojnë rezultatin e kësaj sfide, transmeton KosovaPress.
Madje drejtori sportiv i Koln, Jorg Schmadtke, ka deklaruar se klubi do të dërgojë një ankesë në Federatën e Futbollit të Gjermanisë, ku do të kërkojë përsëritjen e takimit.
“Do të protestojmë”, ka thënë Schmadtke për Sky Sport.
“Ishte një vendim i gabueshëm dhe kundër rregullave dhe për këtë arsye do të kërkojmë që ndeshja të zhvillohet sërish”, ka theksuar ai.
Në anën tjetër ka pasur deklarata edhe nga zyrtarët e Dortmundit që nuk pajtohen me ankesën e kundërshtarëve të tyre.