Kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga vrasja e Oliveri Ivanoviqit, ish-liderit të SDP-së në Kosovë, dhe ende nuk është zbardhur si rast nga autoritetet kosovare. Këto të fundit po deklarojnë se janë duke i vazhduar hetimet. Por pala serbe po kërkon që rasti t’i jepet EULEX’it. Në prokurorinë Speciale të Kosovës thonë se hetimet do t’i vazhdojnë vet.
Ditë më parë, Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka thënë se nuk ka bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës në zgjidhjen rastit të vrasjes të politikanit serb, kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (SDP), Oliver Ivanoviq. Ai u bëri thirrje EULEX-it që të jetë i përfshirë në mënyrë më aktive në zgjidhjen e këtij rasti.
Por, në Prokuroria Speciale të Kosovës po zotohen se hetimet lidhur me këtë rast do t’i vazhdojnë vet. Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka thënë për Gazetën Express se nuk merret me deklaratat e zyrtarëve serbë dhe se rastin nuk e kanë ndërmend që t’ia dorëzojnë askujt.
“Na e kemi planin tonë të punës. Rastin e kam unë ma kanë caktu, ma tutje nuk di. Ne ende jemi duke punu, por diçka konkrete nuk kemi. Autoritetet serbe mund të bashkëpunojnë me ne lidhur me këtë rast, se me e marrë EULEX’i se është mision në ikje”, i ka thënë Expressit, prokurori që po merret me hetimin e rastit të Oliver Ivanoviqit.
Tutje ai ka kërkuar nga autoritet serbe që të bashkëpunojnë më shumë me palën kosovare karshi kësaj situate.
“Ne kemi kërku bashkëpunim me autoritetet serbe përmes bashkëpunimit ndërkombëtarë dhe ministrisë së Drejtësisë. Ata nuk na kanë ofru ndonjë prove. Ata nuk po donë bashkëpunim”, ka thënë tutje Hoxha.
Edhe nga ana e autoriteteve serbe po thonë se janë të interesuar për ta zgjedhur këtë rast.
“Serbia është e interesuar në zgjidhjen e këtij rasti, por nuk e shoh dëshirën e palës tjetër”, Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq duke shtuar se në këtë rast nuk ka shkëmbim informacionesh. E rreth zbardhjes së këtij rasti, një grup gazetarësh investigativë nga Serbia janë duke planifikuar të vijnë në Kosovë. Qëllimi i tyre është hulumtimi i vrasjes së ish-politikanit serb nga Veriu, Oliver Ivanoviq.
Oliver Ivanoviq është vrarë në janar të këtij viti para zyrës së partisë së tij politike që gjendet në veri të Mitrovicës. Ai, dy tri ditë para se të vritej, në një intervistë kishte deklaruar që ndihet i rrezikuar nga serbët.
Mediat në Serbi kanë raportuar se pak ditë para se të vritej Ivanoviqi i kishte nisur një mesazh telefonik Presidentit Vuçiq, por që nuk kishte marrë kurrfarë përgjigje. Spekulimet për vrasjen e tij, por motivet kanë qenë të shumta. /GazetaExpress/