Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është këmbëngulës se nuk e përkrah versionin aktual të Demarkacionit me Malin e Zi.
Kjo deklaratë e kryeministrit është bërë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës kur u pyet nga deputeti i Vetëvendosjes Dardan Molliqaj nëse ka ndërruar qëndrim për Demarkacionin.
Molliqaj e shtroi këtë pyetje për kryeministrin pasi që sipas tij ai më nuk po e përmend Bjelluhën si pikë kufitare por vetëm Çakorrin dhe Kullën.
“Zona që po flasim edhe parimi i ndarjes së territorit janë majat e larta, nga Çakorri, Kulla, do të thotë majat e larta. Zona e Bjelluhes përfshihet nga pjesa e majës e këtej dhe nuk shoh ndonjë dallim. Nuk e kam precizuar asnjëherë krejt vijën majë m’maje, por kontesti është i hapur në dy rrugë, pra akset rrugore prej Plavës dhe ajo që vjen prej Rozhajës. Shikoni, Arbitrazhi si temë, procedurat si pasojnë mes shteteve ose standardet unë nuk i shpiku sot. Pra ajo që është në kompetencë tonën jemi duke e bërë, e kemi ndërruar një komision, ka filluar punën një komision tjetër i ka duart e lira, e ka përkrahjen e kabinetit dhe partnerëve të koalicionit që ta gjejë të vërtetën. Ne presim të vërtetën, nuk mundemi tash të prejudikojmë tani, presim të gjeturat dhe do të diskutojmë bashkë. Ju e dini qysh është vota ime personale për këtë version, është jo edhe mbetet jo”, tha Haradinaj.
Gjatë seancës së Kuvendit është bërë një debat në mes të nënkryetarit të Kuvendit Xhavit Haliti dhe deputetes së LDK-së Hykmete Bajrami e cila ka qenë edhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë Mustafa.
Xhavit Haliti i tha ish-ministres Bajrami se nafta që hyn në Kosovë nuk është kontrolluar asnjëherë nga asnjë ministër.
“Veç kontrollin e naftës interesant nuk po mundeni asnjëherë asnjë ministër ta bëni. Nafta që hynë në Kosovë është i pa kontrolluar dhe i pa kontrollueshm ga asnjëri që ka udhëhequr ministritë përkatëse”, tha Haliti.
Por deputetja Bajrami i tha Halitit se është PDK-ja që gjithnjë e ka kontrolluar naftën ndërkohë që e shtroi dilemën se nga e ka bërë nënkryetari i Kuvendit pasurinë që e ka.
“Zotëri Haliti ju nuk keni të drejtë të bëni komente dhe ta keqpërdorni foltoren prej aty ku po e drejtoni Kuvendin. Nuk kemi mundur të vëjmë kontroll…merre fjalën dil fol në foltore mos mi merr minutat. Kontrollin e naftës e keni ju, trego kah e ki rrjedhjen e pasurisë, kah je bërë milionerë…trego kontrollin e naftës e keni ju, unë e kam sjellë ligjin këtu edhe nuk e keni përkahë ligjin, e keni kaluar kontrollin e cilësisë të doganat”, tha ajo.
Por në këtë deklaratë sërish ka reaguar Haliti, i cili i tha Bajramit se nëse e paska kontrolluar naftën atëherë paskan qenë bashkë në këto pazare.
“Ti ke qenë ministresh…atëherë paske qenë në bashkëpunim me doganat meqë po thu që dogana qenka e jona, edhe nëse dogana qenka e imja atëherë paskemi bashkëpunuar unë e ti bashkë. Unë kurrë nuk kam qenë as në ministri as nuk kam kërkuar ndonjë nderë personalisht,. Me ata që i ke ndarë pazaret qiti”, shtoi Haliti.
Bajrami ia ktheyu atij se në Kosovë dihet kush bën kontrabandë duke aluduar në PDK-në.
“Absolutisht nuk kam ndarë asnjë pazar , jam e pastër, kur të doni akuzoni janë institucionet dërgoni atje. Nuk është e vërtetë, kështu që Kosovë dihet kush bënë kontrabandë”, u përgjigj Bajrami.
Seanca ka vazhduar me vendimin që të formohen 14 komisione parlamentare ndërkohë që momentalisht është në pushim për të vazhduar me interpelancën e kryeministrit Haradinaj për rastin Rikallo./KosovaPress/