Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me delegacionin e Parlamentit Europian, të prirë nga Tonino Picula. Në takim është diskutuar për rekomandimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), përkatësisht realizimi i detyrave nga faza e parë e Agjendës së Reformave Europiane (ERA) dhe përgatitjet për etapën e dytë.
Më tej Haradinaj ka falënderuar eurodeputetët për votën pro liberalizimit të vizave për kosovarët.
“Progresi i Kosovës është evident në fuqizimin e sundimit të ligjit, demokratizimin e shoqërisë sonë, si dhe në reformat shtetërore. Rruga euro-atlantike e Kosovës është e pakthyeshme dhe Qeveria me përkushtim po punon në përshpejtimin e agjendës europiane. Në kuadër të takimit, në emër të popullit të Kosovës, falënderova eurodeputetët për votën për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka përfunduar Haradinaj.