Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot ambasadoren e Finlandës në Prishtinë, Anne Huhtamaki, me të cilën bisedoi lidhur me proceset që po kalon vendi ynë.
Haradinaj tha se Finlanda është shtet mik dhe i preferuar i Kosovës, prej nga vjen arkitekti i Planit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, Martti Ahtisaari.
Ai theksoi në takim se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Finlandës dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe pret që vazhdimi i bashkëpunimit mes dy vendeve të intensifikohet.
“Finlanda mund ta ndihmojë Kosovën në shumë rrafshe, sidomos në edukim, sektorin e energjisë, kujdesin shëndetësor dhe mjedisin”, është shprehur Haradinaj.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për zhvillimin e tregtisë mes dy shteteve, me fokus të veçantë investimet në Kosovë.