Aktuale

Haradinaj premton lajme të mira për liberalizimin deri në fund të vitit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj beson fort se deri në fund të këtij viti do të ketë lajme të mira sa i përket liberalizimit të vizave, ani pse kur kishte ardhur në krye të ekzekutivit kishte thënë se brenda tre muajve mund të liberalizohen vizat.

Kreu i ekzekutivit thotë se Kosova po avancon në këtë drejtim, porse pa përmbushjen e kritereve nuk do të mund të ndodh një gjë e tillë.

Haradinaj këto komente i bëri pas një vizite që i bëri Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Haradinaj: Kosova po avancon drejt liberalizimit

(Video)

“E vërtetë është që pa përmbushje të kritereve nuk pritet liberalizimi, por po ashtu është e vërtetë që Kosova po avancon, pikërisht në këto kritere. Ne e kemi takimin raportues, të Këshillit të MSA-së me 17 nëntor do të jem edhe vet me delegacionin e Kosovës, sepse jemi nikoqir të takimit…Mbaj shpresë shumë se deri në fund të vitit do të kemi lajme sa i përket liberalizimit të vizave”, tha Haradinaj.

Duke qenë se demarkacioni mes Kosovës e Malit të Zi, është kriter për liberalizimin e vizave, kryeministri Haradinaj tha se kjo çështje mund të përfundojë në arbitrazh.

Ai tha se kjo temë po lëvizë në drejtim të zgjidhjes së saj, porse ritheksoi se versioni aktual nuk i ka votat në Kuvend.

Haradinaj: Demarkacioni mund të përfundoj në arbitrazh

(Video)

“Po ashtu për demarkacionin sikurse e dini nuk është një teme që po flenë, po lëvizet në atë temë, sa më shpejt që t’i kemi rezultatet do të lëvizim. Mund të përfundoj kjo temë në arbitrazh për shkak se versioni ekzistues nuk ka votë, nuk ka përkrahje se besohet se është gabim, atëherë në momentin që biem dakord për arbitrazh duhet të konsiderohet edhe nga BE-ja si çështje e zgjidhur dhe besoj se kështu do të ndodh në një të ardhme shumë të afërt”, theksoi ai.

Kosova ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, si pasojë e kundërshtimeve të opozitës dhe mos arritjes së votave prej dy të tretave.

Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare e ka nënshkruar ish ministri i Punëve të Jashtme, tash presidenti i vendit, Hashim Thaçi në vitin 2015. Të njëjtën Mali i Zi e ka ratifikuar menjëherë, derisa Kosova ende nuk po mund ta bëjë një gjë të tillë.

the authorE B