Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në 19-vjetorin e masakrës së Studimes ka thënë se një pakt i paqes me Serbinë është krejt çka Kosova mund të jap sot.
Sipas tij, Kosova ka dhënë më të çmueshmen, më të vështirën që mund të jepet për paqen, jetët e njerëzve të pafajshëm, ndërsa 116 martirët e Studimes të Vushtrrisë janë dëshmi e kësaj.
Duke komentuar marrëveshjen e shumëpërfolur Kosovë-Serbi, Haradinaj theksoi se Kosova tashmë ka deklaruar statutin e vet, dhe krejt çka mundet të bëjë sot, është të jetë pjesë e një marrëveshjeje paqësore, e cila do t’i hapte rrugë integrimit të Kosovës në NATO, OKB dhe BE.
Ai shtoi se institucionet qendrore do ta ruajnë gjithmonë nderimin për të rënët e lirisë, dhe se familjarët e martirëve të Studimes do të kenë përjetësisht njerëzit e tyre në themelet e shtetit të Kosovës.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se si çdo përvjetor, sot Studimja ndien dhimbje dhe krenari për të përkujtuar dëshmorët dhe martirët.
Ndërsa në emër të familjarëve foli Latif Gërxhaliu, me ç’rast u bëri apel institucioneve që ta tregojnë veten për të vënë drejtësi për masakrën e Studimes.